I dyshuari i tretë në arrati

I dyshuari i tretë në arrati

Në dy operacione të ndara të zhvilluara dje dhe sot nga ana e njësisë rajonale për hetimin e krimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për një rast të shantazhit.

Këto operacione kanë ardhur si rrjedhojë e një denoncimi që viktima e rastit ka bërë pranë policisë disa ditë më parë.

“Nga hetimi preliminar që policia i ka bërë këtij rasti, është ngritur baza e dyshimit se të dyshuarit për një periudhë të caktuar kohore duke shantazhuar dhe shtrënguar viktimën me publikimin e disa fotografive eksplicite, kanë ndikuar te ajo që përkundër vullnetit të saj të marrin shuma të konsiderueshme të parave. Kësisoj në operacionin e djeshëm policia ka arritur që në flagrancë të kap dhe të arrestoj të dyshuarin  S. L,  mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dhe të njëjtin më pas me rekomandimin e prokurorit të shtetit ta procedoj në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh për vazhdimin e mëtejmë të hetimeve. Ndërkohë që policia ka zgjeruar rrethin e hetimeve ka identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të përfshirë në rastin në fjalë.  Ndërkohë që hetimi ka vazhduar, ndërlidhur  me veprimet operative sot është arrestuar edhe i dyshuari i dytë   A. H,  mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,  për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është i implikuar në rastin në fjalë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga policia.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit i njëjti po ashtu është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh për hetime të mëtejme.

I dyshuari i tretë, Sh. Ç,  i njohur për policinë, aktualisht është në arrati dhe polica bashkërisht me prokurorin e shtetit po koordinon veprimet e nevojshme për të mundësuar kapjen e tij./21Media