Shaqir Fetahu është zgjedhur për reis të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut.

Me 18 vota pro dhe 3 kundër, Fetahu zgjedhet si udhëheqës i këtij institucioni. Ndërkohë tani 7 muaj ka qenë ushtrues detyre i BFI-së.

Më herët, ish-kreu BFI-së Sulejman Rexhepi, në deklaratë me shkrim tha se jep dorëheqje nga pozita e tij dhe tha se është gati të përgjigjet para Zotit dhe para ligjit, nëse dikush mendon se ka bërë gabime. Sulejman Rexhepi ka qenë udhëheqësi fetar islam në vend për gati 30 vjet.

Fetahu pas zgjedhjes së tij si udhëheqësi i Bashkësisë Fetare Islame, mbajti konference për media, nga ku tha se sot është ditë e madhe për të gjithë myslimanët e vendit dhe qytetarët e tij. Fetahu deklaroi se kanë amanet që me një përgjegjësi të madhe të prezantojnë islamin dhe vlerat e tij burimore dhe tradicionale.

Sot fitoi Bashkësia Fetare Islame. Sot fituam të gjithë. Fitoi shpirtërorja, moralja, njerëzorja dhe konstruktivja”, deklaroi Fetahu.

Mes tjerash tha se në rrugëtimin e tyre do të bëjë pjesë dija, transparenca, toleranca dhe puna e pa lodhshme në shërbim të çdo besimtari./TV21