Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes video-lidhjes zhvilloi sot takim me Zëvendës-ndihmësen e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me ç’rast kjo e fundit e uroi ministrin Mehaj për detyrën e ministrit të mbrojtjes.

Ajo, siç informoi ministria, premtoi se SHBA, përmes programeve shtetërore, do të vazhdojë partneritetin e ngushtë dhe të fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e saj.

Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi Cooper-in për urimet dhe shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për SHBA-në për mbështetjen e pazëvendësueshme për vendin tonë si dhe në të arriturat e gjithmbarshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Ministri Mehaj, në vazhdim, theksoi se mbështetja e deritashme nga SHBA ka qenë jetike në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së duke shprehur mirënjohjen e thellë për mundësinë historike të pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në operacione jashtë vendit krahë forcave amerikane.”, informoi ministria.

Mehaj dhe Cooper u pajtuan që bashkëpunimi në mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë të zgjerohet edhe më shumë në funksion të paqes, sigurisë e stabilitetit rajonal e më gjerë./21Media