E quan inkurajues këtë bashkëpunim

E quan inkurajues këtë bashkëpunim

Ambasadorët e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd kanë folur sot rreth përfitimeve të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në luftën kundër përhapjes së pandemisë COVID-19. Në një mesazh të përbashkët në Facebook, ambasadorët Philip Kosnett dhe Anthony Godfrey e kanë quajtur inkurajuese bashkëpunimin e Kosovës dhe Serbisë si vende fqinje në luftën kundër koronavirusit.

“Në këtë kohë të pandemisë është inkurajuese të shohësh ministrat e shëndetësisë duke bashkëpunuar si fqinjë, për t’iu shërbyer dhe mbrojtur të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi. Ne lavdërojmë përpjekjet e personelit shëndetësorë dhe të tjervëve që janë në detyrë për të mbajtur qytetarët e Serbisë dhe Kosovës të sigurt”, tha ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett

Ndërkaq ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey e falenderoi qeverinë e Italisë për këtë iniciativë duke shtuar se nga ky bashkëpunim do të shpëtohen jetë.

“Beogradi dhe Prishtina po punojnë bashkë në mënyrë praktike për të shpëtuar jetë në kohën e pandemisë duke shkëmbyer pajisje dhe ekspertizën“, tha Godfrey.

Dje ministri në detyrë i shëndetësisë, Arben Vitia dhe homologu të tij nga Serbia, Zlatibor Lonçar, kanë biseduar në lidhje me bashkëpunimin praktik për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Italia ishte nikoqire e një video-konference, me pjesëmarrjen e KFOR-it, midis dy ministrave, e përqendruar në urgjencën e COVID-19.