Shtetet e Bashkuara thanë se do të nisin gjatë kësaj jave dërgesën e 200 ventilatorëve mjekësore si ndihmë drejt Rusisë, e cila ka tashmë numrin e dytë më të madh në botë të rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Rusia raportoi sot 9 mijë e 263 infeksione të reja duke e çuar shifrën totale kombëtare në 299 mijë e 941, si dhe 115 vdekje të tjera.

Ambasada e SHBA-ve në Moskë ka thënë se presidenti Vladimir Putin ka kërkuar asistencë dhe se presidenti Donald Trump ka ofruar 200 ventilatorë të prodhuar në SHBA.

Dy presidentët kanë folur në telefon më 7 maj.

Dërgesa e parë e 50 ventilatorëve do të dërgohet nesër, dhe pak pas saj dhe 150 të tjerët, tha ambasada në një deklaratë.

Kohët e fundit Rusia kishte dërguar si ndihmë në SHBA një sasi ventiluesish të prodhimit të saj, por zyrtarët në SHBA thanë se përfundimisht ato nuk u përdorën.

Çështja kishte të bënte me aparatet ruse Aventa-M, të cilat javës së kaluar ishin në qendër të një zjarri në spitalin e Moskës, që supozohej të ishte shkaktuar prej një qarku të shkurtër te ventilatorët.

Kjo bëri që Rusia të ndalonte përdorimin e ventilatorëve Aventa-M të prodhuar pas datës 1 prill.