Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të shpallin sanksione ndaj Rusisë lidhur me pretendimet për ndërhyrje në zgjedhje dhe veprimtari të dëmshme kibernetike, të cilat do të vënë në shënjestër disa individë dhe entitete, thanë burime të afërta me këtë çështje.

Për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane dhe një sulmi kibernetik ndaj institucioneve qeveritare dhe korporatave amerikane, rreth 30 njësi ekonomike ruse do të përballen me sanksione.

Sanksionet shënjestrojnë gjithashtu dhjetëra individë, duke përfshirë zyrtarë të inteligjencës ruse.

Masa do të përfshijë edhe dëbimin e deri në 10 zyrtarëve dhe diplomatëve rusë.

Ka disa javë që administrata e presidentit, Joe Biden, ka dhënë sinjale se po përgatit një përgjigje ndaj shkeljes së sigurisë kibernetike.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe kompanitë e teknologjisë kanë thënë se sulmi kibernetik që u zbulua në dhjetor të vitit 2020, mund të ishte bërë nga ana e hakerëve rusë. Moska e ka mohuar akuzën.

Nga sulmi kibernetik janë prekur të paktën nëntë agjenci qeveritare, përfshirë departamentin e Thesarit, atë të Drejtësisë dhe të Tregtisë si dhe 100 ndërmarrje private.

Sanksionet gjithashtu kanë për qëllim hakmarrjen për ndërhyrjen e pretenduar gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Një vlerësim i agjencive të inteligjencës amerikane tha se me shumë gjasë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe qeveria ruse autorizuan dhe drejtuan një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane më 2020./21Media