SHBA-ja mirëpret marrëveshjen Kosovë – Serbi

 

Marrëveshja për targa, Hovenier: E rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për targa mes Kosovës e Serbisë, mbrëmë në Bruksel.
Hovenier ka thënë se e vlerëson qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan Hovenier.


Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.


Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha ndërkaq se pati një bisede të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter

Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës, që kishte shtuar shqetësimet për nxitje tensionesh të reja në zonë.
Back to top button