Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha në një deklaratë se të gjithë pasagjerët e linjave ajrore nga Mbretëria e Bashkuar duhet të kenë test negativ në mënyrë që të fluturojnë në Shtetet e Bashkuara. Vendimi hyn në fuqi nga data 27 dhjetor.

Vendimi pason paraqitjen e një varianti të ri, shumë infektiv të koronavirusit në Britani të Madhe, që ka nxitur shumë vende të mbyllin kufijtë e tyre për udhëtarët nga atje.

CDC tha se viruset ndryshojnë vazhdimisht përmes mutacionit, dhe analiza paraprake në Mbretërinë e Bashkuar sugjeron që ky variant i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm sesa variantet që qarkullonin më parë

Edhe vendet tjera po ndërmarrin masa për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit. Hong Kongu vendosi masën e karantinës për të gjithë vizitorët jashtë Kinës. Rregulli i ri do të hyjë në fuqi më 25 dhjetor. Gjermania tha se kishte konfirmuar rastin e saj të parë me variantin e ri të koronavirusit.

Zyrtarët thonë se nuk ka asnjë provë që llojet e reja të virusit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut janë më vdekjeprurëse ose do të jenë rezistente ndaj vaksinave.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar tashmë kanë filluar vaksinimin e popullatës kundër COVID 19.

Ndërsa imunizimi kundër koronavirusit pritet të nisë këtë të diel në vendet e Bashkimit Evropian, doktor Tobias Welte, nga Qendra gjermane për Sëmundje Infektive, nuk është optimist se normaliteti do të kthehet përpara verës.

Edhe Dr. Anthony Fauci, eksperti më i njohur amerikan për sëmundjet infektive tha në një intervistë të botuar të enjten se arritja e imunitetit të tufës kundër koronavirusit mund të kërkojë nivele vaksinimi deri në 90 për qind. Më shumë se 1 milion amerikanë, ose vetëm rreth 0.3 për qind të popullsisë, kanë marrë dozën e parë të vaksinës që nga 14 dhjetori, sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve./21Media