SHBA me projektligj kundër korrupsionit në Ballkan! Synon edhe zhvillimin ekonomik dhe frenimin e aktiviteteve destabilizuese

Dy senatorë amerikanë, demokratja Jeanne Shaheen dhe republikani Roger Wicker kanë paraqitur një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Senatorja Shaheen thotë se marrëdhëniet e SHBA-ve me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit rus Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.
“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njëjtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, theksoi Sen.Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe bashkëpunimin mbi sigurinë rajonale.
Projekligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhrave ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive. Senatori Wicker tha se projektligji “do të dërgonte një sinjal të fortë dypartiak, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur diplomacinë në rajon”. Ndërkaq, Senatori Ben Cardin tha se përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje, kërcënojnë të gërryejnë përparimin që e kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt qeverisjes demokratike, që nga fundi i luftrave në ish-Jugosllavi.
“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë në Ballkanin Perëndimor. Ky projektligj dypartiak do të çojë përpara stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër korrupsionit duke krijuar programe që inkurajojnë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Sen. Ben Cardin, kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.
Projekligji njihet si “Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”. Përndryshe, senatorja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që në prill vizituan Kosovën, Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, mes shqetësimeve rreth ndikimit të konfliktit në Ukrainë, në Ballkanin Perëndimor. Vizita kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes Uashingtonit dhe Ballkanit Perëndimor, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen./TV21

 

Back to top button