SHBA ka regjistruar më shumë se 250 mijë raste të vdekjes nga Covid-19, ndërsa rastet e reja dita e ditës po shtohen.

Sipas Universitetit “Johns Hopkins”, vendi tani ka raportuar 250,029 vdekje dhe gati 11.5 milionë raste me Covid-19, transmeton rtv21.tv.

SHBA ka më shumë infeksione të raportuara dhe numër më të lartë të vdekjeve se çdo vend tjetër në botë.

Epidemiologu kryesor i SHBA-së, Dr Anthony Fauci tha se vendi ishte “duke shkuar në drejtimin e gabuar në një kohë shumë të pasigurt”.

Qyteti i New Yorkut, ka urdhëruar mbylljen e shkollave nga e enjtja, për shkak të një rritjeje të rasteve. Vendimi për të mbyllur sistemin më të madh të shkollës publike të SHBA-së erdhi ndërsa normat pozitive të testeve për virusin tejkaluan pragun prej 3%, thonë zyrtarët. Kjo do të prekë rreth 300,000 fëmijë./21Media