Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot bisedoi me ambasadorin Philip Reeker, U.D. i ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, i cili e uroi atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

Ambasadori Reeker, siç informoi presidenca, theksoi se raportet e SHBA-ve me Kosovën janë të bazuara në vlerat demokratike dhe qëllimet e përbashkëta. Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme. Po ashtu, sipas komunikatës, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndërsa, Presidentja Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-të është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme që do të shtonin punësimin dhe do të luftonin në mënyrë efikase korrupsionin.

“Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ambasadori Reeker theksoi se SHBA-të inkurajojnë palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.”, u bë e ditur në komunikatën e presidencës.

Ndërkaq, Osmani potencoi rëndësinë e përmirësimit cilësor të procesit të dialogut që bazohet në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit e që i kontribuon paqes dhe prosperitetit në rajon.

“Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë kërkoi përkrahjen e SHBA-ve.”, u bë e ditur tutje në komunikatë./21Media