Ka shkuar në 11 milionë numri i të infektuarve me virusin korona në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

E në përpjekje për të parandaluar përhapjen e SARS CoV2 shumë shtete po fuqizojnë masat antiCOVID-19.

E masa të rrepta së fundmi ka vendosur Miçigani dhe Uashingtoni.

Në Miçigan shkollat e mesme dhe kolegjet do të mbyllen dhe restorantet do ta kenë të ndaluar të ofrojnë shërbime brenda.

Edhe në Uashington do të vlejë e njëjta masë për restorantet, ndërsa aty do të mbyllen edhe palestrat, kinematë, teatrot dhe muzetë. Në Shtetet e Bashkuara është rritur edhe numri i të hospitalizuarve.

Mesatarisht, më shumë se 1.000 njerëz në ditë po vdesin nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në rreth 250.000. Ekspertët janë duke u bërë thirrje njerëzve që ta trajtojnë me seriozitet përhapjen e koronavirusit, sidomos tani kur po afrohet Festa e Falënderimeve dhe ajo e Krishtlindjes.