Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se do të shqyrtojë raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi origjinën e virusit korona në detaje përmes ekspertëve amerikanë dhe do t’i kushtojë vëmendje të veçantë nëse hetimi është kryer në mënyrë të pavarur dhe teknikisht i pranueshëm.

“Ne kemi njoftuar qartë se do të përqendrohemi në përcaktimin nëse hetimi ishte i pavarur dhe teknikisht i saktë, dhe kur të shqyrtojmë plotësisht raportin, ne do të vlerësojmë se cilat do të jenë hapat tanë të ardhshëm”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, raporton Reuters.

Në studimin e përbashkët nga OBSH dhe Kina mbi origjinën e COVID-19 thuhet se transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës te njerëzit përmes një kafshe tjetër është skenari më i mundshëm dhe se një rrjedhje laboratorike është një shkak i pamundur, citon AP pjesë të draftit të dokumentit në të cilin kishte qasje.

Nuk dihet ende nëse raporti mund të ndryshohet përpara botimit, por gjetjet që përmban ajo ishin kryesisht të pritshme dhe lanë shumë pyetje pa përgjigje, sipas Reuters.

Publikimi i raportit është vonuar disa herë dhe një zyrtar i OBSH-së shprehu pritjen në fund të javës së kaluar që dokumenti të ishte gati për botim në ditët e ardhshme.