Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, ka reaguar pas shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar, duke thënë se një veprim i tillë ka qenë i nxituar.

“Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme”, ka deklaruar Zingraf.

Ndërkohë që 37 persona janë arrestuar pas përleshjeve të sotme me policinë për shkak të shembjes së objektit të tetarit kombëtar, diplomati gjerman u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje.

“Ky zhvillim më shqetëson edhe më shumë nisur nga konteksti i luftës kundër pandemisë së koronavirusit, duke qenë se grumbullimet e njerëzve të ndodhura deri tani dhe ato të pritshme mund të sjellin hapa pas. U bëj thirrje të gjithë aktorëve për dialog dhe vetëpërmbajtje”, ka shkruar Zingraf në Facebook.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, sot mbahet një aksion simbolik para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë solidarizimi me Tiranën.