Shemi i Ilirëve u arrestua pasi hipi pa autorizim në skenën e festivalit “Sunny Hill”

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar këngëtarin Shemsi Krasniqi, i njohur përndryshe edhe si Shemi i grupit Ilirët.
Ai kishte tentuar që të ngjitej pa autorizim në skenën e festivalit “Sunny Hill”.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se, gjatë zhvillimit të Festivalit “Sunny Hill”, i cili po mbahet në parkun e Gërmisë, dje rreth orës 16:50, te bina ku përformojnë artistët, është ndaluar: Sh.K., (viti i lindjes 1955, mashkull kosovar), i cili pa autorizim kishte hipur në binë.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se zyrtarë policorë që janë të angazhuar në ofrim të sigurisë gjatë zhvillimit të festivalit, kanë kërkuar që personi në fjalë të largohej nga aty. “Ai nuk ka respektuar urdhrin e personit zyrtar dhe me këtë rast është shoqëruar në stacionin policor”.
Policia për rastin ka njoftuar prokurorin kujdestar dhe me udhëzim nga i njëjti, i shqiptohet fletë-paraqitje për mosrespektim të urdhrave të personit zyrtar.
Sonte (7 korrik) është nata e fundit e festivalit Sunny Hill. Tri netët e tjera, skena e madhe e festivalit u elektrizua me performanca nga artistë të ndryshëm vendor e të huaj./21Media
 

Back to top button