Nagavci uron mësuesit për 7 Mars: Njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj

(Lajm i përditësuar)
Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare.
Me këtë rast ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar të gjithë mësimdhënësit derisa thotë se si ish-mësimdhënëse njeh dhe vlerëson punën e tyre.
“Të dashur mësimdhënës. Po shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet. Sot misioni ynë mbetet këmbëngulja për punë dhe përkushtim, angazhim të gjithmbarshëm të mësimdhënësve tanë për ta avancuar mësimdhënien dhe për ta bërë atë konkurrente me vendet e zhvilluara.
Si mësimdhënëse dje, dhe si ministre sot, njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në përpjekjen për të bërë më të mirën për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.

09:40 – Haradinaj: Ta rrisim ndërgjegjësimin për rolin jetik që mësimdhënësit japin çdo ditë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, ka thënë se si shoqëri, duhet ta rrisim edhe më tej ndërgjegjësimin për rolin jetik që mësimdhënësit japin çdo ditë për arsimimin dhe zhvillimin e gjeneratave.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se gjatë historisë së popullit shqiptar, mësimdhënësit ishin ata që brumosën breza të tërë për ngritjen e ndërgjegjës kombëtare.
“Gjatë historisë së popullit tonë, ishin mësimdhënësit ata që brumosën breza të tërë për ngritjen e ndërgjegjës kombëtare. Janë pikërisht mësimdhënësit tanë që edhe në kohë të errëta të robërisë nuk reshtën së punuari në përhapjen e diturisë, duke u bërë udhërrëfyes për shumë gjenerata në përpjekjet tona për liri e pavarësi”, ka thënë Haradinaj.
07:56 – Shënohet Dita e Mësuesit

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqip, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.
Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.
Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Back to top button