Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), me  ç’rast ka thënë se ky institucion është një nga hallkat kyçe dhe shumë të ndjeshme të sistemit të drejtësisë.

“Që nga nisja e deri në këtë 21-vjetor Shërbimi Korrektues, i cili filloi punën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për të vazhduar tutje me hapjen e qendrave tjera, duke numëruar sot gjithsej 10 institucione, është profesionalizuar dhe ka arritur të jetë në hap me standardet e shërbimeve korrektuese perëndimore”, ka deklaruar ministri Selimi.

Ministri, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit duke u fokusuar në rritjen e efikasitetit të mekanizmave të sistemit juridik, e në këtë drejtim edhe në modernizimin e SHKK-së.

“Në politikat ndëshkimore, vendi ynë angazhohet për mbrojtje të të drejtave të njeriut, sigurimin e trajtimit të barabartë dhe dinjitoz, si dhe për ri-integrim të suksesshëm në shoqëri të personave që kryejnë dënimin. SHKK-ja sot mund të krenohet me të arriturat e saj në fushën e trajtimit të të burgosurve që është mision i saj, si dhe me stafin profesional dhe të përkushtuar në radhët e saj, që çdo ditë iu dalin në ndihmë të gjithë të burgosurve që trajtohen në institucionet korrektuese”, ka shtuar ministri.

Ai, po ashtu ka shprehur mirënjohje ndaj drejtorit Thaçi dhe stafit te SHKK-së, për menaxhimin e shkëlqyer dhe përballje me pandeminë, si dhe ka falënderuar bashkëpunëtorët dhe miqtë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar në ngritjen e infrastrukturës dhe standardeve të larta profesionale në SHKK përgjatë këtyre viteve.

Në fund të ceremonisë, Ministri Selimi së bashku me Drejtorin e SHKK-së, Nehat Thaçi dhe kryetaren e Shoqatës së Gruas së SHKK-së, Zyrafete Imeraj, kanë ndarë mirënjohje falënderuese për punëtoret dhe bashkëpunëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës./21Media