Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi sot ka njoftuar se është shëruar nga Covid-19.

Pas 15 ditësh ballafaqimi me virusin Krasniqi ka rezultuar negativ në Covid-19.

“Me kënaqësi ju njoftoj se pas ritestimit që kam bërë dje, sot jam njoftuar nga IKSHP se kam rezultuar negativ në Covid-19. Pas 15 ditësh trajtimi dhe ballafaqimi me virusin, e përfundova vetizolimin dhe tashmë jam i lirë që të vazhdoj punën dhe angazhimet e mia normalisht”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij “Facebook”.

Deputeti Krasniqi duke ftuar për kujdes dhe respektim të masave, ka falënderuar të gjithë për kujdesin ndaj tij.

“I falënderoj për kujdesin të gjithë ata me të cilët kam komunikuar në mënyra të ndryshme gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, ju uroj shërim të shpejtë e sa më të lehtë të gjithë atyre që janë të prekur nga Covid-19. Falënderime të veçanta për punëtorët shëndetësorë që janë në linjë të parë të luftës me koronavirusin. Ju ftoj të gjithëve që të jeni maksimalisht të kujdesshëm dhe të mbani maskat, distancën sociale dhe higjienën personale”, ka përfunduar Memli Krasniqi.

Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar më 21 tetor se ka rezulatuar pozitiv për COVID-19./21Media