Premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Është dhënë sonte premiera e shfaqjes “Bordel Balkan”, e autorit Jeton Neziraj në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja, e cila prek temën e ndjeshme të luftës dhe pasluftës, është dhënë pa ndonjë incident, ndonëse një ditë më parë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte reaguar duke paralajmëruar se do të pengojnë shfaqjen e saj, për shkak se sipas tyre shfaqja ka përmbajtje denigruese për luftën e UÇK-së.

Autori i shfaqjes, Jeton Neziraj tha se shfaqja shkoi mirë me gjithë tensioneve dhe stresit për të gjithë. Ai pohoi se ishte shumë i kënaqur me punën e aktorëve
“Më së pari ke e rëndësishme që shfaqja shkoi mirë edhe nuk pati ndonjë ekses. Ka pas natyrisht shumë tensione dhe shumë stres prej të gjithëve. Megjithatë shfaqja shkoi shumë mirë. U prit mirë, u duk që u prit mirë prej publikut dhe mendoj që për sa më përket mua si autor jam i kënaqur me punën”, tha ai.

Ndërkaq aktorja Arta Selimi tha se procesi për realizimin e shfaqjes, kishte qenë një përvojë e jashtëzakonshme për të.

Edhe aktori tjetër, Ylber Bardhi, pohoi se tema që shfaqja prek është e ndjeshme, por ai shpreson se mesazhi që jepet nuk do të shkojë në vesh të shurdhër.

Shfaqja u prit me duartrokitje nga shikuesit mes të cilëve ishin edhe aktorë të njohur si Adem Mikullovci, Xhejlane Godanci, etj.