Shfaqja e gripit Avian-Influenza, ndalohet tregtia e shpezëve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim që të ndalojë tregtinë e shpezëve dhe lëvizjen e tyre nga fermat, pas shfaqjes së gripit të shpezëve Avian-Influenza në Kosovë.
Në lidhje me mbrojtjen e shpezëve nga ky grip AUV  ka marrë edhe vendime të tjera.

“I. Masat e përgjithshme:
a) Ndalimin e lëvizjes së shpezëve nga fermat dhe tregtimi i tyre në tregjet e kafshëve – shitblerja e shpezëve;
b) Dezinfektimi i objekteve dhe zonave përreth ku ka shpërthim të sëmundjes;
c) Përcaktimi i zonave të mbrojtura (3 km) dhe gjurmueshmëria e sëmundjes (10 km);
d) Njoftimi i rasteve të dyshimta për sëmundjen Gripi i Shpezëve;
e) Vizita e fermave të dyshuara nga ambulancat veterinare në koordinim me inspektorët veterinar, marrja e mostrave dhe dërgimi në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë
f) Përcaktimi i lokacioneve dhe groposja e shpezëve të ngordhura.
II. Përjashtimisht nga pika I e këtij vendimi, lejohet lëvizja shpezëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje në thertore të licencuara vetëm me pëlqimin e inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
III. Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë punën në pranimin e shpezëve në hapësirat e tyre.
IV. Obligohen të gjitha Komunat, Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave”, thuhet në njoftim.
Këto masa do të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës, dhe vendimi i Agjencis së Ushqimit dhe Veterinarisë ka hyrë në fuqi nga sot./21Media
Back to top button