Ka ndryshuar situata meteorologjike. Fushat me presion të ulët atmosferik të cilat ishin përqendruar ditët e fundit mbi gadishullin Ballkanik, dalëngadalë po zhvendosen në drejtim të lindjes.

Reshjet e shiut të cilat në sasi vende-vende ishin të intensitetit të lartë, do të ndërpriten për t’u zëvendësuar me rreze dielli dhe me pak vranësira të cilat në pjesë të Dukagjinit mund të sjellin riga të izoluara të shiut.

Edhe në fushat barike dhe ato termike priten rritje të ndjeshme. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-27 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi deri 1-9 m/s.

Kushtet biometeorologjike janë të mira. Reshjet më të mëdha u regjistruan rreth 70 litra për metër katror në veri dhe verilindje të vendit, 50-60 litra për metër katror në jug dhe jugperëndim të vendit, ndërsa pjesët tjera të territorit mbeten me sasi më të ulëta të shiut.