Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot se është shkarkuar nga detyra u.d Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik në Shkup, Dr. Arben Zyberi.

“Zyberi është shkarkuar për shkak të plasimit të deklaratave të pasakta në publik me çka drejtpërdrejt dëmtoi imazhin e anëtarëve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, duke e vënë në pikëpyetje kredibilitetin e institucioneve në luftën kundër virusit korona” shkruhet në njoftimin e Ministrisë, transmeton tv21.tv.

Nga atje po ashtu shkruajnë se si ushtrues detyre Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik është emëruar epidemiologu Aleksandar Stojanov.

Shkarkimi i Zyberit vjen pasi ditë më parë ai në profilin personal në Facebook shkroi se ai si anëtar i Komisionit për Sëmundje Infektive ka kontribuar për hapjen e kufijve pa ngarkesa protokollare që i rekomandonin nga OBSH, e që edhe mërgimtarët të mund të vijnë në vendlindje për të votuar “për Kryeministrin Shqiptar”.

Ndaj këtyre qëndrimeve të Zyberit dje reagoi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke thënë se Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik nuk është anëtar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, ndërsa deklarata e tij ka qenë pjesë e retorikës parazgjedhore.

“Një deklaratë e këtillë nuk i shkon përshtat një doktori, e as njeriut që udhëheq me një institucion të tillë. Unë që sot do të konsultohem me juristë dhe nëse në këtë periudhë është e mundur, drejtori që sot do të zëvendësohet” tha dje Filipçe.

Pas kësaj deklarate të Ministrit, pasoi reagimi i vetë Zyberit, i cili akuzoi Filipçen se po e keqpërdorë foltoren e qeverisë për qëllime zgjedhore.

“Unë jam kandidat për deputet dhe kam të drejtën time që në profilin personal në Facebook të kem qëndrime politike, e përskaj kësaj në asnjë moment nuk e kam keqpërdorur institiucionon që e drejtoj, gjë që për fat të keq e bën Ministri Filipçe me këto deklarata me paravijë zgjedhore”, u shpreh Zyberi.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre fjalëve, Filipçe në Facebook shkroi se nëse Zyberi është në fushatë zgjedhore kjo nuk i jep të drejtë të thotë “të pavërteta dhe ta minojë punën e komisionit për Sëmundje Ngjitëse”. Ministri madje ka hedhur poshtë se në Komision janë marrë vendime të motivuara nga politika. E akuzoi Zyberin për deklarata të pasakta, dëmshme dhe jokolegiale.

Për këtë rast dje foli edhe Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.

“Drejtori mund të bëjë shkelje të Ligjit se fushatën zgjedhore e ka realizuar gjatë orarit të punës, pavarësisht asaj se këtë a e ka bërë në rrjete sociale ose në vend pune. Ministri ka të drejtë ta shkarkojë Ziberin nëse vëren se ka bërë shkelje të ligjit, sepse Kodi zgjedhor nuk ndalon shkarkime, por vetëm ndërprerje të marrëdhënieve të punës dhe punësimet” thanë nga Antikorrupsioni. .

Zyberi statusin e ka bërë në ora 21:00. Përndryshe, kodi zgjedhor parasheh që gjatë fushatës funksionarët shtetëror nuk mund të realizojnë promovime për nisjen dhe përfundimin e projekteve./TV21