Shkodër, pezullohen 4 policët që kërcenin në dasmë

 

Policia e Shqipërisë ka reaguar pas publikimit të imazheve në rrjetet sociale për një dasmë të organizuar në kundërshtim me Aktin Normativ për COVID-19, ku shiheshin edhe disa policë duke kërcyer.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi kontrolli për nxjerrjen e përgjegjësive.

Policia ka evidentuar lokalin ku ishte zhvilluar dasma dhe u ndëshkua me 1 milionë lekë gjobë, për organizim dasme, pronari i lokalit shtetasi E. R, banues në Malësinë e Madhe.

Punonjësit e policisë që mbulojnë zonën policore Specialisti i Policisë Kriminale shtetasi J. R., Inspektori i policisë së zonës  N. R., dhe dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme S. K., dhe A. M.) nuk kishin ushtruar kontroll për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe për këtë shkelje të rëndë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra.

Gjithashtu po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas inspektimit të bërë nga grupi i kontrollit i ngritur për këtë qëllim, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë për Shefin e  Komisariatit të Malësisë së Madhe L. N; Shefin e Rendit S.K; dhe Shefin e Hetimit të Krimit K.C.

Back to top button