“Shkolla u shndërrua në ferr, ndërsa polici u bë abuzues”

Jahjaga i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që, sa më parë, ta ndriçojnë këtë rast

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar për rastin e dhunimit të një të miture në Drenas, shkruan rtv21.tv

Jahjaga ka thënë se është e shokuar dhe thellësisht e irrituar me lajmet mbi abuzimin e dyfishtë seksual të vajzës nga Drenasi.

“Pas abuzimit të saj në shkollë, e cila do të duhej të ishte shtëpi e dytë për fëmijët tanë, ajo iu drejtua për ndihmë një polici i cili do të duhej ta mbronte atë. Por, shkolla u shndërrua në ferr, ndërsa polici u bë abuzues. E gjithë kjo ndodhi sepse dy individë shpërfaqen të keqen e tyre duke ushtruar-madje vazhdimisht- dhunë të egër, mizore e barbare mbi një të mitur”, është shprehur Jahjaga.

Ajo ka thënë se individët e përfshirë në këtë rast nuk e kanë vendin as në shkollë e as në polici.

“Shkollat tona nuk janë vende krimi e policët tanë nuk janë kriminelë! Individët që dhunojnë fizikisht e psiçikisht vajzat e djemtë tanë duke kryer vepra të tilla çnjerëzore e kanë vendin prapa grilave”, ka thënë Jahjaga.

Ajo i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që, sa më parë, ta ndriçojnë këtë rast, dhe kryesit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar./21Media

Back to top button