Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të avionit në qytetin jugor të Pakistanit, Karaçi, ka shkuar në 97, njoftuan sot autoritetet e këtij vendi.

Avioni me numër fluturimi PK-8303 që udhëtonte nga qyteti verilindor Lahore e kishte 99 pjesëtarë në bord, u rrëzua pranë Aeroportit Ndërkombëtar Jinnah ndërsa ishte duke ateruar, konfirmoi Autoriteti i Aviacionit Civil në një deklaratë. Aksidenti ndodhi disa ditë pas rifillimit të fluturimeve vendore pas heqjes së masave bllokuese që ishin në fuqi prej një muaji me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Kryeministri pakistanez, Imran Khan urdhëroi një hetim për rrëzimin e avionit të dytë që nga viti 2016. Departamenti i Shëndetësisë në provincën Sindh, kryeqyteti i së cilës është Karaçi, konfirmoi se 60 trupa u dërguan në Qendrën Mjekësore Pasuniversitare Jinnah ndërsa 32 trupa u dërguan në Spitalin Civil Ruth Pfau. Njëzet nga të lënduarit janë në gjendje kritike dhe u dërguan gjithashtu në Ruth Pfau.

Autoritetet, të cilët më herët ishin të paqartë nëse të vdekurit dhe të plagosurit ishin pasagjerë ose banorë të lagjes, më vonë thanë se të gjithë të ndjerit ishin pasagjerë në avion ndërsa disa banorë të lagjes u plagosën nga rrëzimi i avionit.

Deri më tani, vetëm dy persona, përfshirë Zafar Masood, bankierin më të madh të vendit janë raportuar si të shpëtuar nga aksidenti. Raportohet se gjendja e tyre është e qëndrueshme. Janë identifikuar 19 nga të vdekurit, por shumica e trupave kanë pësuar djegie të rënda që vështirësojnë identifikimin, thanë zyrtarët shëndetësorë. Zyrtarët filluan të mbledhin mostra të ADN-së për të identifikuar viktimat.

Në mesin e udhëtarëve që ishin nisur për të festuar Fitër Bajramin, që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ishte edhe gazetari i njohur Ansar Naqvi. Ekipet e shpëtimit besojnë se vetëm shtatë persona janë bllokuar nën rrënojat dhe asnjë nga banorët e zonës nuk ndodhet nën to.

Autoritetet zhvendosën dhjetëra banorë në një hotel lokal pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan plotësisht ose pjesërisht./21Media