Theodore Dreiser ka qenë shkrimtar dhe gazetar amerikan, i cili i përkiste shkollës natyraliste, shkollë kjo që i dha letërsisë amerikane fytyrë moderniste.

Dreiser është renditur në mesin e 100 shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX, i cili pati ndikim të madh me letërsinë e tij. Romani i tij “Një tragjedi amerikane” u përkthye kohë më parë, ndërsa duke parë interesimin e lexuesve, përkthyesit vendosën që ta përkthejnë në shqip një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij. I pari që e përktheu në shqip ishte Bujar Doko, në vitin 1957.

Por, ç’e bën të veçantë pendën e këtij shkrimtari?

Dreiser arrin ta skanoi jetën dhe mentalitetin amerikan me përmasat e saj sociale dhe morale. Në vitin 1925, ai botoi vëllimin e parë të romanit “Një tragjedi amerikane”, që është i bazuar në një histori vrasjeje. Me këtë libër, ai arriti të ketë sukses të madh brenda dhe jashtë tokës amerikane.

“Një tragjedi amerikane” kritikon sistemin ligjor amerikan që ishte kthyer në model për reformat sociale në SHBA.

Kur ndodhi Depresioni i Madh në SHBA, Dreiser përfundoi edhe vëllimin e dytë, te i cili shquhet forcimi i angazhimit të tij social për modelin që po prodhonte kapitalizmi në Amerikë.

Romani “Një tragjedi amerikane” rrëfen historinë e korrupsionit dhe të shkatërrimit të njeriut, krye personazhit Clyde Griffiths, i cili humb shpirtin dhe gjithçka tjetër derisa është në kërkim dëshpërues të suksesit. Ai dëshiron medoemos të jetë njeri i rëndësishëm dhe i suksesshëm. Për ta arritur këtë i hynë një rruge qorre që në fund e sjellë kapitullimin e tij.

Në nivel tjetër, më të thellë, romani paraqet portretin e vlerave të shoqërisë amerikane. Ambiciet e mëdha të Clyde-it janë ato që në fund e nënshkruajnë fatin e tij kur dënohet me vdekje në karrigen elektrike, pasi që kishte kryer vrasjen e Robertës, vajzës të cilën ky e kishte lënë shtatzënë por që tani e braktiste meqë donte të futej në shoqërinë e lartë, aty ku  e priste bukuroshja e pasur Sondra, të cilën e dashuronte. Por në vend të kësaj, ai zhytet thellë në një jetë plot frikë e ankth, pas krimit të kryer derisa në fund kapitullon i tëri.

Ky roman është i jashtëzakonshëm në zbulim dhe fuqi, i gjallë në kuptimin e zhbërjes së vlerave njerëzore, i pandalshëm në dhembshuri. Padyshim, “Një tragjedi amerikane” është arritja më e lartë e krijimtarisë së Dreiser-it, i cili konsiderohet pionier i letërsisë moderne amerikane.

Romanet e tij kanë sukses në akumulimin e detajeve realiste dhe fuqinë e integritetit me të cilin përcaktojnë aspektet tragjike të jetës.