Shkupi i ngulfatur nga mjegulla dhe ajri të ndotur

Shkupi tashmë disa ditë me radhë po ngulfatet jo vetëm nga ajri i ndotur, por edhe nga mjegulla. Po thyen rekordet e indekseve botërore të ndotjes, shkaku i rritjes tejet të lartë të grimcave që paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Shkupjanët e ndjejnë këtë, prandaj në këto ditë feste qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Mirëpo, një numër i madh i tyre vendosën ta vizitojnë Vodnon, ku situata është krejtësisht ndryshe. Aty u mirëpritën nga dielli dhe ajri i pastër. Kolona të gjata kishte edhe për teleferikun me të cilin ngjiten në majën e Vodnos. Prej atje kishin mundësi të shohin se çka “thithin” derisa janë në qytet. Shkupi nuk mund të shihet fare, nuk mund të njohësh asnjë pjesë të qytetit, kurse nuk vërehen as kullat “Xhevahir”. Vetëm mjegull dhe ndotje.
E nga autoritet kompetente ka pasur vetëm rekomandime. Qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë pa nevojë. T’i mos hapin dritaret për t’i ajrosur dhomat, sepse ajri është tejet i ndotur.
“Qëndroni në shtëpi ose reduktoni aktivitetin fizik në ambiente të hapura, veçanërisht nëse keni simptoma siç janë: kollitja ose dhimbja e fytit. Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet t’i shmangin aktivitetet e rënda fizike. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi. Njerëzit me astmë duhet të përdorin inhalatorin e tyre më shpesh. Nëse duhet të dilni jashtë, mbani maska me efektivitet të provuar.
Para festave të fundvitit, ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, si shkaktarë të ndotjes i ceku veturat dhe mënyrën e ngrohjes së shkupjanëve, por nuk tha se çka do të ndërmarrë Ministria përkatëse për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit?
“Ne të gjithë duhet të bëhemi të vetëdijshëm me çfarë ngrohemi, biomasa me standarde është e nevojshme, nuk duhet të përdorim materiale kancerogjene. E dyta, pjesa më e madhe e ndotjes vjen nga automjetet. Për fat të keq automjetet tona janë mesatarisht deri në 20 vjeçare”, tha ai.
Edhe sot niveli i ndotjes është i lartë dhe arrin deri në 163 pika të indeksit me përqendrime të larta të grimcave PM 10 dhe PM 2.5, me çka Shkupi sërish bie në grupin e qyteteve më të ndotura në botë. Përveç Shkupit, ajër të ndotur “thithin” edhe qytetarët e Shtipit, Manastirit, Strumicës, Tetovës, Gostivarit, si dhe qyteteve të tjera të vendit./TV21

Back to top button