Shoferët ankohen për urën e Milotit: Nuk është e sigurt

Pas plot 8 muajsh izolimi dhe pritjeje, Ura e Milotit në aksin e vjetër Lezhë–Laç u rihap për qarkullimin e automjeteve një ditë më parë, më 20 mars.

Ndërhyrja në këmbët e saj u konsiderua e domosdoshme për shkak të rrezikut, por ajo që qytetarët gjetën pas rihapjes nuk i ngjan një investimi të përfunduar siç duhet.

Në vend të një rruge të sigurt dhe funksionale, drejtuesit e mjeteve përballen me një trase të dëmtuar, të mbushur me gunga, që jo vetëm e vështirëson qarkullimin, por rrezikon seriozisht dëmtimin e automjeteve.

Për shumë prej tyre, kjo situatë është zhgënjyese dhe e papranueshme, sidomos pas një periudhe kaq të gjatë bllokimi që ndikoi drejtpërdrejt në jetën dhe lëvizjen e përditshme.

Rihapja e Urës së Milotit, që duhej të ishte një lehtësim për qarkullimin, duket se po kthehet në një burim të ri shqetësimi, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe përgjegjësinë për një investim që, sipas qytetarëve, mbetet larg standardeve të duhura./vizionplus

Back to top button