Sholz: S’ka asgjë më keq se t’u japësh miliona njerëzve shpresa të rrejshme, Ballkani të hyjë në BE

Kancelari gjerman Olaf Scholz, në një opinion të gjatë të shkruar për Foreign Affairs, duke folur mbi qëllimet e presidentit rus mbi ndarjen e botës dhe ndikimin e Rusisë në pjesë të caktuara të botës, tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe se kjo duhet bërë realitet.
Scholzi thotë se për këtë qëllim është i përkushtuar edhe personalisht.
“Putini donte ta ndante Evropën në zona ndikimi dhe ta ndante botën në blloqe fuqish të mëdha dhe shtete vasalë. Në vend të kësaj, lufta e tij ka shërbyer vetëm për të avancuar BE-në. Në Këshillin Evropian në qershor të 2022-ës, BE-ja i dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e “vendeve kandidate” dhe ripohoi se e ardhmja e Gjeorgjisë është me Evropën. Ne ramë dakord gjithashtu që anëtarësimi në BE i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet më në fund realitet, një synim për të cilin jam i përkushtuar personalisht. Kjo është arsyeja pse unë kam ringjallur të ashtuquajturin Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të thellojë bashkëpunimin në rajon, duke afruar vendet dhe qytetarët e tyre dhe duke i përgatitur ata për integrimin në BE”, ka shkruar Scholzo.
Ai shtoi se është e rëndësishme të pranohet se zgjerimi i BE-së dhe integrimi i anëtarëve të rinj do të jetë i vështirë.
Scholzi foli edhe për zhgënjimin në rajon me qasjen e BE-së për integrim të tij.
“Asgjë nuk do të ishte më e keqe se t’u japësh miliona njerëzve shpresa të rreme. Por rruga është e hapur dhe qëllimi është i qartë: një BE që do të përbëhet nga mbi 500 milionë qytetarë të lirë, që përfaqësojnë tregun më të madh të brendshëm në botë, që do të vendosë standarde globale për tregtinë, rritjen, ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit dhe që do të presë institute kërkimore kryesore dhe biznese novatore—një familje me demokraci të qëndrueshme që gëzojnë mirëqenie sociale dhe infrastrukturë publike të pashembullt”.

Back to top button