Shoqata e Bankave të Kosovës ndanë 25 mijë euro për familjen e policit të vrarë

Sot edhe Qeveria ka ndarë 15 mijë euro për familjen e policit

Shoqata e Bankave të Kosovës ka marrë vendim të ndajë 25 mijë euro për familjen e policit Izet Demaj, i cili humbi jetën dje në krye të detyrës.

“Shoqata e Bankave të Kosovës duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit Izet Demaj ka njoftuar se ka marrë vendim për të ndarë një ndihmë prej 25,000 Euro për këtë familje. Përveç ndihmës monetare aktuale, vendimi i Shoqatës së Bankave parasheh edhe ndihma të tjera për të qenë pranë familjes Demaj edhe në të ardhmen për të ndihmuar këtë familje sado pak në këto rrethana të vështira në të cilat po kalojnë ata”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Për familjen e policit të vrarë në detyrë edhe Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndajë 15 mijë euro.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi ka vendosur që dita e shtunë të jetë ditë zie në nderim të rënies në detyrë të policit që vdiq si pasojë e plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit me një plaçkitës banke në Istog.

Polici i rënë në detyrë dje në Istog , Izet Demaj do të varroset nesër në ora 14:00 në varrezat e fshatit Vrellë të Komunës së Istogut./21Media

Back to top button