Shoqata e Prokurorëve i reagon Muratit: Ministri po shpif

Shoqata e Prokurorëve i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pas akuzave që ai i bëri për institucionet e drejtësisë “si mbrojtëse të kastës së vjetër kriminale”, e që “s’kanë mision luftimin e krimit”.

Shoqata e Prokurorëve ka thënë se Murati ka përdorur gjuhë linçuese e shpifëse.

“Sot (19/8/2023) në mesdite në rrjetin e tij social (i publikuar në portale) ministri Hekuran Murati ka bërë një postim duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në veçanti ndaj Prokurorit të Shtetit Milot Krasniqi duke e cilësuar se gjoja prokurori i rastit nuk ka bërë asnjë hap lidhur me rastin që ministri Murati e përmend në postimin e tij. Në këtë mënyrë i njëjti jo vetëm që shpif por njëkohësisht e vë në rrezik serioz hetimin në fazën në të cilën është, duke e marrë parasysh se epilogu i hetimeve merr kohë në grumbullimin, analizimin dhe vlerësimin e provave dhe fakteve, me qëllim të përfundimit me sukses të secilit rast”, thuhet në reagim.

Shoqata e Prokurorëve ka dënuar këtë gjuhë të Muratit dhe ka thënë se secili prokuror në Kosovë e “kryen punën e tij me nder, integritet dhe fisnikëri duke zhvilluar hetime të drejta të paanshme dhe në mënyre profesionale”.

“Shoqata e Prokurorëve, vlerëson se mbrojtja e pavarësisë dhe e autoritetit të prokurorëve është thelbësore dhe tejet e rëndësishme, andaj gjuha e tillë e përdorur është e patolerueshme dhe në kundërshtim me rregullat në një shoqëri moderne dhe demokratike. Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës jemi thellësisht të shqetësuar dhe një herit për të satën herë ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve me peshë në jetën politike, ekonomike, sociale të përmbahen nga përdorimi i gjuhës ofenduese, nënçmuese, denigruese dhe shpifëse ndaj secilit prokuror”, thuhet në reagim.

Back to top button