Shoqata e Hotelierisë dhe Turizmit Pro in, reagoi pas vendimit të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, se këtë vit martesat do të bëhen pa tubime të njerëzve.

Visar Demolli përfaqësuesi i kësaj shoqate, tha se ky vendim do t’i dëmtojë shumë.

“Dëmet janë të mëdha si në restaurante, punëtorë hotelieri, këngëtar, orkestra të ndryshme muzikore, kameraman e fotograf, prodhuesit vendor të pijeve dhe ushqimit. Ky zingjir i madh i cili ne gjirin e vet e përbenë një armatë të tërë profesionistësh në fusha te ndryshme po mbesin pa punë”, tha Demolli për portalin RTV21.

Demolli paralajmëroi inicimin e një peticioni nëse nuk bëhet ndonjë ndryshim i këtij vendimi, pasi që sipas tij qindra familje varen nga puna e tyre në hotele.

Nëse është e nevojshme bëjmë edhe PETECION kundër këtij vendimi tu e pa që jemi në fillim të muajit maj e merren vendime për muajt Korrik dhe Gusht ku të gjitha këto kategori qe i cekëm më lart janë të varura nga sezona e dasmave”, tha Demolli.

Tutje Demolli thekson se 70% e dasmave janë të rrezervuara nga diaspora dhe se me të dëgjuar këtë vendim ata kanë kërkuar t’i anulojnë dasmat.

“Dhe është problemi se diaspora thuajse 70% dasmave janë nga mërgata dhe kur e degjojnë këtë lajm që e ka marrë qeveria normal që ata kanë kërkuar menjëherë te pronarët e restaurantev që t’i anulojnë ato”, deklaroi Demolli.

Ndryshe, ministri në detyrë Vitia dje deklaroi se  2020 do të jetë vit i distancës dhe se nuk do të ketë tubime të njerëzve. /21Media