Kërkohet ndalimi i presionit publik ndaj AKA-së dhe KShC-së

Kërkohet ndalimi i presionit publik ndaj AKA-së dhe KShC-së

27 organizata dhe 6 anëtarë të shoqërisë civile nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë kërkuar nga kryeministri, ministri i Arsimit, dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, të tërhiqen nga presioni publik që po i bëjnë Agjencisë së Kosovës për Akreditim, pas vendimit për mbylljen e tri universiteteve publike.

Gjithashtu ata kanë kërkuar të mos merret asnjë veprim për çështjet e akreditimit, pasi sipas tyre, kjo do të ishte në kundërshtim me ligjet në fuqi, me parimin e funksionimit të pavarur të Agjencisë së Akreditimit dhe në kundërshtim të hapur me interesat e studentëve.

Në deklaratë tutje thuhet se përjashtimi eventual i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga asociacioni evropian ENQA për shkak të ndërhyrjes në pavarësinë e saj, do t’i kushtojë studentëve të Kosovës, diplomat e të cilëve do të zhvleftësohen dhe procedurat për vazhdim të studimeve jashtë vendit do të vështirësohen.

Ne zotohemi se do të bëjmë gjithçka që është në duart tona si qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe grupe të tjera aktive, për të mos lejuar cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe institucioneve të tjera të arsimit në vendin tonë”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, Komisioni për Arsim sot në orën 13:00 mblidhet për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Komisionit Shtetëror të Cilësisë (KSHC).

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të mos akreditojë për këtë vit tri universitetet publike, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës është pritur me kundërshtime dhe akuza. Pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri Universiteteve Publike, kishte edhe reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i Qeverisë këtë vendim e quajti si të papranueshëm dhe të padrejtë.

Ndërkohë, vet KSHC-ja ka shprehur shqetësimin për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të tyre për lojë politike. Ata thanë se do të rezistojnë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC-së dhe se çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do ta denoncojnë në institucionet e drejtësisë./21Media

Aksion kundër ndërhyrjeve politike në KSHC dhe AKA