Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në statusin e tij të ri në rrjetet sociale sërish ka adersuar kritika ndaj qeverisë për vendosjen e masave të reja.

Ai është shprehur edhe një herë se nuk është kundër masave por, një gjë e tillë sipas tij nuk duhet të bëhet për komunat veç e veç, mirëpo në nivel vendi.

Ndër tjerash Ahmeti ka thënë se nuk është bërë rivlerësim i masave të kaluara, siç është bartja e maskave, si dhe ka përmendur vështirësitë ekonomike nëpër të cilat po has vendi.

Andaj ai i ka dhënë disa rekomandime për qeverinë.

“1. Mos të improvizojmë me masa – ne nuk do ta zhdukim virusin – por na duhet ta ngadalësojmë në mënyrë që të kemi shtretër të lirë në QKUK. Kjo duhet të bëhet ose duke targetuar grupet e rrezikuara ose duke mbyllur shumicën e gjërave për periudhë të kufizuar (një ose dy javë) me qëllim të ngadalësimit. Por kjo duhet të ndodhë në gjithë Kosovën dhe në kufinj. Në institucione e në gastronomi, në shkolla e në xhamia. Pas ngadalësimit vazhdojmë me hapje e kontroll e deri te vakcina
2. Të ndërtohen skenaret e kujdesit shëndetësor. Nuk është njejtë si 200 pacientë të shtrirë e si 1000. Me 935 raste sot, gjendja e jashtëzakonshme duhet të konsiderohet. Spitalet mobile duhet të jenë gati. Mund të ndihmojmë si Prishtinë e besoj edhe komunat tjera.
3. Të votohet menjëherë pakoja ekonomike. Nuk ka kuptim që shteti të ketë para të pashpenzuara mbi nivelet normale e të bankrotojnë bizneset e të humbim vende të punës. Diaspora në shpëtoi përsëri nga një kolaps edhe më i keq por nuk mjafton. Jemi të sakatuar ekonomikisht.
Të gjitha këto si duket po vështirësohen nga mungesa e shumicës në Kuvend. Një qeveri që ka 31 deputetë nuk mund të ballafaqohet me këtë krize. Sikurse me i thënë zjarrfikësit me e fik zjarrin por me ja marr kamionin, ujin dhe teshat. Mund të jetë zjarrfikësi më i mirë por pa efekt. Në qoftë se nuk ka shumicë duhet të hapet rruga.
Në mungesë të masave të mirëfillta, improvizimet bëjnë më shumë dëm. Në vikend u mbyllëm me improvizim por sot kemi 900 raste.
U bëj thirrje gjithë spektrit politik të mendojnë mirë. Si duket edhe gara në Podujevë po e ngadalëson rrugëm drejt kompromisit.
Masat që janë në fuqi sot janë rezultat i analizave jo të mira dhe negociatave me sektorë e grupe të interesit. Psh Mitrovica e Veriut nuk raporton fare e as Graqanica. Qeveria është e detyruar ti vendos në zonën e gjelbërt. Po të mbetej Mitrovica e Jugut e Kuqe do të duhet vendosur kontrolle policore në Urë të Ibrit. Absurditetet tjera i kemi treguar më herët.
Për fund, shfrytëzoj rastin të falenderoj punëtorët shëndetësor, arsimor dhe të sigurisë për punën e tyre. Jeni më të mirët.”, ka përfunduar Ahmeti./21Media