Shpenzimet e NATO-s për mbrojtje janë rritur përkundër situatës me koronavirus

 

Vendet anëtare të NATO-s kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, pavarësisht situatës së vështirë ekonomike që e ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Këto deklarata i ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Viti 2020 ka qenë viti i gjashtë me rradhë i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes nga ana e të gjithë aleatëve”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel, përcjell rtv21.tv

“Ne presim që ky trend të vazhdojë këtë vit. Është thelbësore të mbahet ky ritëm pasi sfidat e sigurisë nuk janë zhdukur”, ka shtuar ai.

Shpenzimet e përgjithshme ushtarake nga 30 anëtarët e aleancës arritën në 1.028 trilionë dollarë (860 miliardë euro) vitin e kaluar, thuhet në raportin e publikuar nga NATO-ja. SHBA ende siguron pjesën më të madhe të shpenzimeve të NATO-s.

Vendet evropiane janë përballur me presion nga Uashingtoni për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes në një prag prej dy për qind të bruto prodhimit të brendshëm. Ky tavan u vendos më 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar anëtarët kryesorë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, për kontribut jo të mjaftueshëm.

Presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden, po mban një retorikë më diplomatike duke bërë thirrje për përmirësim të marrëdhënieve trans-atlantike. Megjithatë administrata e tij pritet të vazhdojë presionin në mënyrë që të detyrojë vendet evropiane të paguajnë më shumë.

Raporti i NATO-s thekson se vitin e kaluar 11 nga 30 anëtarët e aleancës arritën objektivin prej dy për qind, nga nëntë sa ishin në raportin e vitit 2019./21Media

Back to top button