Shpenzimet e udhëtimeve, Duda-Konjufcës: Edhe djalit tim i është vështirësuar të shkojë në shkollë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, sot ka reaguar pas raportimeve për shpenzimet e deputetëve për karburante. Balje i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që të dalë në mbrojtje të deputetëve, që nuk kanë vepruar asgjë kundër rregullores dhe ligjit.
Ajo ka theksuar se gjatë tri ditëve ka pasur rreth 300 telefonata nga mediat.
“Çdo qytetar tjetër që më kalonte në rrugë thoshte emrin “naftë” në forma e kontekste të ndryshme.”, ka shkruar ajo ndër të tjera në Facebook.
“Nga pozita në të cilën jeni, keni qenë të detyruar t’i drejtoheni publikut në emër të të gjithë deputetëve për shpenzimet e udhëtimit që rregullohen me Rregulloren e Kuvendit. Pse nuk pate guximin te thuash të vërtetën, të pakten timen, nuk kam gënjyer për vendbanimin tim apo nëse kam makinë.
Për herë të parë që kur jam bërë deputete e këtij vendi, ndihem shumë keq, sepse në tre ditët e fundit kam pasur mbi 280 telefonata nga mediat, çdo qytetar tjetër që më kalonte në rrugë thoshte emrin “naftë” në forma e kontekste të ndryshme.”, ka shkruar Balje.
Deputetja ka theksuar se edhe djalit të saj i është vështirësuar të shkojë në shkollë, shkaku i komenteve.
“Dje, djali im 13-vjeçar pati një diskutim në klasë me miqtë e tij se si nëna e tij është një “hajdute”. Edhe djalit tim i është vështirësuar të shkoj në shkollë, për shkak të komenteve të ndyshme në emrin tim. Paramendoni si ndihet fëmija im në këto moment! Unë nuk jam hajdute dhe ti je kryetar i Kuvendit në të cilin punoj, thuaj të vërtetën, ose ndrysho rregulloren, merr një vendim tjetër për shpenzimet, hidhe në tryezë iniciativën e ligjit për deputetët.”, ka shkruar tutje ajo.
Ndryshe, të enjten është publikuar lista e dhjetra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.
Ndërkaq, sot Kuvendi i Kosovës ka publikuar shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2011-2021. Shpenzimet e udhëtimit të deputetëve mund t’i gjeni KËTU./21Media

Back to top button