Policia e Tiranës godet një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, ndërsa ka vënë në pranga një 24-vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë.

Gjatë aksionit të uniformave blu janë sekuestruar doza me lëndë narkotike kanabis dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Policia: “Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se në Laprakë, një shtetas shpërndante lëndë narkotike, u godit një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin:

•O. N., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të mjedisit përreth ku ky shtetas u konstatua, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41 doza me lëndë narkotike kanabis, gati për shitje, si dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale”./oranews