Shpërndau foto me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve, arrestohet 34 vjeçari

Një person i cili dyshohet se shpërndau fotografi dhe video me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve përmes internetit, eshtë arrestuar.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari këto materiale i ka shpërndarë te personat e tjerë përmes rrjetit social Facebook dhe aplikacionit Whatsapp.
Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”.
34 vjeçari pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore,
“Kjo dukuri negative e shfaqur në vendin tonë dhe më gjerë, e cila ka të bëj me materialet me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në internet është tepër shqetësuese. Persona të ndryshëm, kryesisht të moshave të reja, i shpërndajnë këto materiale që përmbajnë video dhe fotografi ku abuzohen seksualisht fëmijët e paidentifikuar. Këto fotografi dhe video i shpërndajnë përmes rrjeteve të ndryshme sociale (Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok etj.). Kjo dukuri është mjaft shqetësuese për vet faktin se kemi të bëjmë me shtresën më të ndjeshme të shoqërisë. Gjithashtu, një gjë e tillë i ri-viktimizon të gjithë ata fëmijë të abuzuar, edhe pse të paidentifikuar”, thuhet në njoftim.
Një veprim i tillë është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku dënimi është nga një (1) vit burg deri në pesëmbëdhjete (15) vite, varësisht nga forma e kryerjes së veprës penale. Kjo nënkupton që veprimet si:

  • kushdo që prodhon video apo fotografi duke abuzuar seksualisht fëmijët ose përdor apo përfshin fëmijën për krijimin ose për prodhimin e shfaqjeve të gjalla, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.
  • kushdo që shet, shpërndan, promovon, shfaq, transmeton, ofron ose e vë në dispozicion videot apo fotografitë duke u abuzuar seksualisht fëmijët, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
  • kushdo që siguron për vetveten apo personin tjetër ose posedon video apo fotografi duke abuzuar seksualisht fëmijët, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
  • Gjithashtu, edhe tentativa për të kryer vepër penale nga ky nen është e dënueshme.

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit në vazhdimësi janë duke marrë veprimet e nevojshme për trajtimin e kësaj dukurie. Njëkohësisht, Policia e Kosovës bashkëpunon edhe me mekanizmat relevant ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie mjaft shqetësuese./21Media

Back to top button