Shpërthimi në banesën e Dukës, Infantino dhe Ceferin solidarizohen me kreun e FSHF-së

Shpërthimi në banesën e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka nuk ka kaluar pa zhurmë edhe përtej Shqipërisë. Lajmi për ngjarjen dhe sulmet e paprecedente të politikës konkretisht të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj ndaj presidentit të FSHF ka marrë dhenë teksa e gjithë bota e futbollit është solidarizuar me Armand Dukën.
Presidentët e FIFA-s, Gianni Infantino dhe ai i UEFA-s, Aleksander Ceferin, presidentë klubesh, federatash, personalitete të njohura ndërkombëtare kanë kontaktuar Presidentin Duka menjëherë pas ngjarjes shokuese duke u shprehur të tronditur për shpërthimin dhe duke i shprehur solidarizimin e mbështetjen e tyre në këtë moment të vështirë.
Presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, presidenti i Federatës turke, Nihat Özdemir, presidenti i Federatës Spanjolle, Luis Rubiales, presidentët e Federatave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Agim Ademi dhe Muamed Sejdini, presidenti i Federatës Greke, Panagiotis Dimitriou, presidenti i Federatës Franceze, Nowl Le Grawt si edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, si Servet Yardımcı, personalitete të njohura të futbollit ndërkombëtar janë solidarizuar me Presidentin e FSHF-së, duke i shprehur mbështetjen e tyre e duke i dhënë kurajo në orët pas ngjarjes së rëndë që ndodhi të hënën në mbrëmje.
Shpërthimi në banesë dhe sulmet e njëpasnjëshme që nuk janë ndalur asnjëherë këto ditë kanë shkaktuar një efekt negativ, me ç’rast UEFA ka bërë të ditur se do të zbarkojë në Tiranë për të kuptuar më mirë situatën. Ajo ka shprehur shqetësimin edhe për finalen e Conference League në “Air Albania”, e cila sigurisht nuk mund të zhvillohet në një situate të tillë të ndezur./Ora News

Back to top button