Shpërthimi në Stamboll, arrestohet një grua që dyshohet se shkaktoi tragjedinë

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe 81 janë plagosur në një shpërthim në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit, kanë thënë autoritetet turke.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 të dielën në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim.
Një e dyshuar tani është arrestuar, tha ministri i brendshëm, shkruan BBC.
Zëvendëspresidenti Fuat Oktay tha më herët se shpërthimi mendohej të ishte një sulm terrorist i kryer nga një grua.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.
Duke folur në një konferencë shtypi në Stamboll, ai dënoi atë që ai e quajti “sulmin e poshtër” dhe tha se “era e terrorit” ishte në ajër.
Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha për mediat turke se një grua ishte ulur në një stol në zonë për më shumë se 40 minuta, duke u larguar vetëm disa minuta para se të ndodhte shpërthimi.
Të hënën në mëngjes, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se një person i dyshuar se kishte lënë bombën ishte arrestuar nga policia dhe akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për përgjegjësi.
PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste.
Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Ministri i qeverisë Derya Yanik shkroi në një postim në Twitter se një punonjës i ministrisë së qeverisë dhe vajza e tij e vogël ishin mes viktimave./21Media

Back to top button