Rekord viktimash dhe rastesh të reja infeksioni nga koronavirusi janë regjistruar në 24 orët e fundit në Shqipëri.

Në përditësimin e fundit të bërë nga Ministria e Shëndetësisë mësohet se 5 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa në 564 testime të kryera për Covid-19, 104 kanë rezultuar pozitive.

Te Infektivi ndërruan jetë një 45 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 64 vjeçar po nga Tirana dhe një 68 vjeçare nga Pogradeci. Ndërkohë që te Sanatoriumi humbën jetën një 45 vjeçare nga Kruja pa sëmundje të tjera dhe një 77 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese.

Me rastet e sotme të viktimave numri i të vdekurve që prej fillimit të pandemisë në vendin tonë ka shkuar në 128.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 11 pacientë janë të intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 60 raste në Tiranë, 9 në Fier, 8 në Krujë, 7 në Elbasan, nga 4 raste në Berat, Kukës, nga 2 raste në Korçë, Lezhë, Pogradec, Përmet, nga 1 rast në Shkodër, Ura Vajgurore, Malësi e Madhe, Klos. Lajmi i mirë është që në 24 orët e fundit  85 qytetarë janë shëruar./oranews