Shqipëria befasohet në fund nga Kroacia, me Uellsin vendoset kualifikimi
Shqipëria U-17 u përball sot me Kroacinë në ndeshjen e dytë për eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 për këtë grup-moshë. Kuqezinjtë ishin shumë pranë marrjes së një rezultati pozitiv, që mund t’i afronte më shumë me kualifikimin, por në minutat shtesë pësuan gol duke u mundur 1-0.
Gjithsesi, Shqipëria U-17 ka ende shanse për të kaluar në Elite Round nëse arrin të fitojë me Uellsin në ndeshjen e tretë të grupit që do të luhet më 26 tetor në ora 13:00.
Trajneri i përfaqësuesU-17, Ervin Bulku kishte përzgjedhur këtë formacioni titullar: Amarildo Dervishi, Ernesto Bakiu, Adi Kurti, Alion Damini, Jordi Jaku, Glenis Belloj, Flavio Sulejmani, Klaus Kashari, Ersi Bode, Ergi Bastari dhe Egert Selmani.
Ndeshja ka qenë shumë e balancuar me të dyja skuadrat që studionin kundërshtarin dhe herë pas here duke goditur portën. Të dyja skuadrat janë shumë të kujdesshëm dhe mbrohen mirë me pjesën e parë që mbyllet në barazim 0-0.
Në fillimi të pjesës së dytë trajneri Bulku bën dy zëvendësime, duke nxjerrë nga loja Bode e Kasharin e duke hedhur në fushë Dejvi Duron dhe Dean Vranicin. Shqipëria U-17 arrin të krijojë disa raste për shënim me protagonist Suejmanin, por nuk e gjen dot golin e avantazhit. Në minutën e 64-t dy zëvendësime të tjera për kuqezinjtë teksa lënë fushën Belloj e Bastari për t’i lënë vendin Davide Avdullarit dhe Matteo Dashit. Ky i fundit është protagonist në dy raste për shënim në minutat në vazhdim, pa ia dalë mbanë për ta dërguar topin në rrjetë. Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim 0-0, në minutat shtesë Kroacia gjen golin e fitore me anë të Živković. Mbyllet me fitoren e Kroacisë U-17, ndërsa Shqipëria ka aktualisht 3 pikë pas dy ndeshjeve të para me grupin që kryesohet nga Uellsi me 4 pikë.
Në ndeshjen tjetër të grupit Suedia dhe Uellsi ndanë nga një pikë pas një barazimi 3-3 në një ndeshje që i pati të gjitha brenda dhe u mbyll pas 100 minutash. Suedia kaloi në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë me Samuyiwa dhe Mulugeta, ndërsa Uellsi shkurtoi distancën me golin e Hatch në fundin e pjesës së parë. Në pjesën e dytë Suedia i çoi shifrat në 3-1 pas autogolit të Lawlor, por Uellsi gjeti golin e dytë me Issaka dhe në minutën e 9-të shtesë barazoi shifrat me anë të Giles. Një ndeshje mjaft e luftuar ku arbitri kryesor dha 8 kartonë të verdhë dhe 1 karton të kuq.