Shqipëria do t’i jap 1 milion euro ndihmë Ukrainës

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka vendosur të japë 1 milionë euro ndihmë financiare humanitare për Ukrainën.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022 dhe për zbatimin e këtij vendimi do të ngarkohet Ministria e punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shkruan vizion plus.
Kjo ndihmë për Ukrainën erdhi në bazë të vendimit, i cili mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, ”Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, ”Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Këshilli i Ministrave vendosi:
Dhënien e ndihmës financiare humanitare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Ukrainës, në shumën 1 000 000 (një milion) euro.
Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, llogaria ekonomike 605, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 (një milion) eurosh.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.
Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ”Fletoren zyrtare”./21Media

Back to top button