Liderët shqiptarë vazhdojnë të festojnë së bashku

(Lajm i përditësuar)
Krerët shqiptarë po vazhdojnë të festojnë 28 Nëntorin së bashku.
Pas kafesë së mëngjesit, ata vazhduan prapë me kafe, por tani u shoqëruan edhe me nga një gotë verë.
Pamje të liderëve ka publikuar Ilir Kërçeli nga kabineti i Glauk Konjufcës.

Liderët shqiptarë bashkë në kafe
Pas përfundimit të ceremonisë e festimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, liderët shqiptarë vizituan muzeun në Vlorë dhe pinë kafe së bashku.
Aty u pa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
 
Begaj: Shqipëria do të jetë zëri i Kosovës
Në Vlorë, aty ku u ngrit flamuri i Pavarësisë 110 vjet më parë, sot festojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe kosovar janë bërë bashkë këtë 28 Nëntor dhe kanë ngritur flamurin kuq e zi në sheshin Pavarësia.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe do të jetë zëri i saj.
“Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj euro-atlantik”, theksoi Begaj.
Ai tha se Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetët vepër e madhe e kombit shqiptar.
“Ishte trimëria e djelmnisë kosovare dhe asaj mbarëshqiptare që me heroizmin dhe qëndresën e kultivuar ndër shekuj i dolën për zot vatanit”, tha Begaj gjatë ceremonisë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe krerët e Kosovës, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti.
Qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, të pranishëm në ceremoni urojnë në këtë vit Jubilar për 110-vjetorin e Pavarësisë./21Media

Back to top button