Shqipëria feston 109 vjet Pavarësi, festime në Vlorë, hiqen kontrollet në kufi me Kosovën

Shqipëria feston sot 109 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Edi Rama ka përcjellur urimet e para për Ditën e Flamurit.
“Gëzuar 28 nëntorin” shkruan Rama.
Festimet kryesore për këtë festë pritet të zhvendosen në Vlorë, ku do të nisin edhe punimet për aeroportin.
Vlera e parashikuar e investimit është gati 104 milionë euro, por ambientalistët kanë ngritur alarmin se  ndërtimi pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në ekosistemin e strehës së shumë llojeve të zogjve”.
Aeroporti i Vlorës është parashikuar të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh, ndërsa punimet do të kryhen nga një konsorcium kompanish të kryesuara nga sipërmarrësi kosovar, Behgjet Pacolli.
Edhe Bashkia e Vlorës do të mbajë një koncert të madh festiv në 18:00. Për këtë arsye, prej dje është njoftuar bllokimi i segmentit nga kryqëzimi i njohur si Aleksandria- Rrethrrotullimi Skelës. Aksi do jetë jashtë aksesit të automjeteve për ti paraprirë festimeve të Pavarësisë.
Ky është viti i tretë radhazi që vendi nuk e feston me të gjitha aktivitetet që meriton këtë ditë. Dy vitet e fundit janë kufizuar nga masat anti-Covid, ndërsa në vitin 2019 për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që ka marrë jetën e 51 qytetarëve.
Megjithatë, në festimet e sotme në Vlorë dhe në Tiranë apo në qytete të tjera të vendit pritet që të kenë shumë shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera.
Në mbledhjen e ditës së enjte të 2 qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, është vendosur që në kufirin mes dy vendeve do të ketë lehtësim qarkullimi sidomos pikën kryesore të kalimit të dy vendeve, në Morinë.
Dy ministritë e Brendshme kanë rënë dakord për një sistem monitorimi të pikave doganore me kamera pa kontrolle fizike duke e bërë kufirin krejtësisht fluid. Një sistem kamerash do të vendoset në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim./Oranews

Back to top button