Qytetarët e Shqipërisë sot iu drejtuan kutive të votimit. Në këto zgjedhje risi në procesin e votimit është votimi elektronik dhe identifikimi biometrik. Në qendrën e votimin “Qemal Stafa” në njësinë 10 ne qendrën e Tiranës, po implementohet pilot projekti për votimin elektronik dhe identifikimin biometrik.

Sekretarja e kësaj KZAZ-je, Lisida Shehi për Kp demonstroi se si qytetarët e asaj njësie do të mund te votojnë në mënyrë elektronike, ajo tha se për këtë pilot projekt u bënë 2-3 javë testime por edhe pas kësaj qytetarët kanë hasur në vështirësi. Ndërsa, sa i përket se kur do të dalin rezultatet e votave nga votimi elektronik, Lisida Shehi tha se rezultati do të del nesër në orën 8.

“Kjo është lista e subjekteve, dhe e zgjedh njërën nga listën e subjekteve dhe shtyp pastaj për kandidatin, çdo subjekt ka listën e kandidatit, nëse dëshironi një nga numrat, shtyp një nga numrat, nëse nuk dëshiron asnjë, zgjidh këto, dhe printo votën. Në momentin që unë kam printuar votën dalin dy numra edhe e koalicionit ose partisë dhe e kandidatit dhe të njëjtën kohë del edhe këtu (tek kutia e votimit), në qoftë se unë kam bërë gabim gjatë kësaj procedure, unë e ndryshoj zgjedhjen dhe kthehem prapë nga fillimi dhe kam të drejtë ta bëjë vetëm njëherë (mundësinë të përsërisë votimin), në qoftë se unë jam dakord me pjesën e zgjedhjes që kam bërë përfundoj votimin dhe letra zbret poshtë dhe shkon direkt në kuti dhe vota ime u hodh drejt e në kuti”, tha ajo

Në pyetjen se si e kanë pritur qytetarët e kësaj njësie këtë votim elektronik dhe se a është i lehtë ky proces dhe se a kanë pasur vështirësi, Lisida Shehi tha se për këtë pilot projekt janë bërë 2-3 jave testime dhe se qytetarët kanë hasur edhe në vështirësi.

“Ka pasur 2-3 javë testime por nuk mund të them se nuk kanë pasur vështirësi, se normalisht është një procedurë e lehtë deri sa të mësohen pastaj jo të gjitha kanë ardhur që ta përdorin pajisjen gjatë kësaj kohe, ka pasur vështirësi por të gjitha do të kalojnë. Është thjesht vonesë që mund të krijohet në pjesë radhësh se nuk kemi pasur ndonjë problematike madhore”, tha ajo.

Ndërsa, në pyetjen se në rast që pajisja nuk funksionon a mund të përdoret manual apo jo, sekretarja e kësaj qendre tha se janë dy pajisje për çdo qendër dhe nëse prishet njëra pajisje mund të përdorim tjetrën për 15 minuta apo 20 deri sa të rregullohet tjetra.

“Pajisja ndahet në dy, është pajisje e identifikimit që është një pajisje fillestare që nuk e kemi dhe ajo është në të gjitha qendrat e Shqipërisë, dhe është edhe pajisja e votimin, në qoftë se prishet pajisja e votimit fillohet te votohet në tjetrën, sepse janë dy pajisje për çdo qendër të votimit, votohet njëherë për njërën nga pajisjet deri sa te rregullohet tjetra, që vjen operatori që e rregullon, në momentin që mund të marr 15 minuta kohë, 20 minuta sa për tu rregulluar, por deri tani nuk kemi pasur probleme me pajisjen”, tha ajo.

Gjithashtu në pyetjen se kur do të i kenë të dhënat për numrin e votuesve dhe se a do i kenë sapo të mbyllen qendrat, Lisida Shehi tha se rezultati i këtyre votave do të dal nesër në orën 8.

“Ne vendimin se si del rezultati e japim nesër në orën 8 ajo printohet… nuk kemi ende një udhëzim se si do të jepet pjesa, por besoj që do të këtë rezultat se sa kanë qenë, deri tani pjesëmarrja duket sikur është e lartë, por kjo është thjesht një përshtypje që kemi marr ne”, tha ajo.