Ministria e Brendshme italiane ka publikuar të dhënat e para të procesit të nisur më datë 1 qershor 2020 për të punësuar e pajisur me leje të rregullta qëndrimi emigrantët ilegalë në Itali.

Dy javë nga nisja e këtij procesi janë prezantuar rreth 32 mijë kërkesa me një mesatare ditore 2300.

Numri më i madh i kërkesave është dorëzuar nga emigrantë me kombësi nga Maroku, Egjipti, Bangladeshi e Shqipëria.

Emigrantët shqiptarë janë me numrin më të lartë të kërkesave për tu punësuar në sektorin e bujqësisë e të blegtorisë.

Janë 23 950 sipërmarrës, prej të cilëve 17 294 shtetas italianë (72% të totalit) të cilët kanë kërkuar pajisjen me leje të rregullt qëndrimi për punonjësit e tyre.

Ministria e Brendshme italiane informon se nga data 1deri më 15 qershor janë 1208 emigrantë, të cilët kanë kërkuar rinovimin e lejes së qëndrimit e skaduar prej datës 31 tetor 2019 e deri më sot.

Emigrantët e parregullt në Itali kanë kohë deri më 15 korrik për t’u pajisur me leje qëndrimi të përkohëshme deri në punësimin e tyre, si dhe mund të pajisen me leje të rregullt të gjitha ata emigrantë që u ka skaduar leja e qëndrimit e kanë gjetur mundësi punësimi.

Për këtë duhet të prezantojë një kontratë pune nga një punëdhënës i cili i duhet t’i derdhë shtetit një kontribut prej 400 euro.

Mund të kërkojnë këtë të drejtë të gjithë emigrantët ilegalë që janë identifikuar nga autoritetet italiane para datës 8 mars 2020 apo dhe ata që mund të dokumentojnë qëndrimin e tyre në Itali para kësaj date.

Gjithashtu mund të kërkojnë leje të rregullt qëndrimi dhe ata emigrantë me një leje të skaduar, duke iu dhënë mundësinë për t’u punësuar.

E në këtë rast emigranti që prezanton kërkesën duhet të derdhë për shtetin një kontribut prej 160 euro.

Leja e qëndrimit do të jetë me një kohëzgjatje 6 muaj me mundësi rinovimi.

Sektorët ku është e lejueshme të punësohen janë në bujqësi, blegtori, peshkim, asistencë për persona me aftësi të kufizuar e punësim shtëpiak.

Janë përjashtuar nga ky proces të gjitha ata emigrantë të cilët kanë marrë një urdhër dëbimi nga autoritetet italiane, janë të dënuar nga krime penale të parashikuara në nenin 380 të kodit penal, janë të dënuar për trafik lëndësh narkotike, për shfrytëzim prostitucioni, e për favorizim emigrantësh klandestinë.

Janë përjashtuar të paraqesin kërkesën për të punësuar emigrantë të parregullt ata punëdhënës që më parë janë dënuar për favorizim e shfrytëzim emigranësh klandestinë./oranews