Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 15 prillit ka përfunduar të premten në orën 24:00, ndërkohë që sot ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në mbylljen zyrtare të votimeve. Nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të partive apo kandidatëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare, duke garantuar një proces të shpejtë të nxjerrjes së rezultatit, transparent, të sigurt dhe pa probleme.

Në zgjedhjet e 25 prillit garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, 39.76% e të cilëve janë femra. Në këto zgjedhje janë 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, ndërsa 107,024 të rinj do të votojnë për herë të parë.

Po kështu edhe Policia e shtetit garantoi marrjen e masave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Të dielën e 25 prillit, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re për 4 vitet e ardhshme. Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita kërkon rikthimin në pushtet pas 8 viteve në opozitë.

Në këto zgjedhje, në garë janë futur edhe disa parti të reja, si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, si edhe kandidatë të pavarur të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me ndryshimet e reja në Kodin zgjedhor, në këto zgjedhje votuesi ka të drejtë të zgjedhë jo vetëm partinë, por edhe kandidatin që preferon.

Zgjedhjet parlamentare të këtij viti zhvillohen në kushte pandemie, ku çdo votues do të t’i nënshtrohet një protokolli të rreptë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ku mbajtja e maskës dhe distanca janë të detyrueshme.