Shqiptarë e serbë me reagime të përziera për takimin Kurti-Vuçiq

Mitrovicasit nga të dyja pjesët e qytetit kanë reagime të përziera rreth takimit të fundit në Bruksel, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Derisa shumica prej tyre shprehen të kënaqur për takimin, duke thënë se është e rëndësishme vetëm të mos ketë konflikt, por paqe për të gjithë qytetarët pa dallim, të tjerët e shohin me dyshime takimin dhe epilogun e bisedimeve në përgjithësi.
Mirosllav Llaketiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress se ndonëse nuk i di saktë pikat e marrëveshjes, megjithatë është i kënaqur me takimin e dy krerëve shtetërorë.
Sipas tij, shqiptarët dhe serbët duhet të jetojnë së bashku në paqe, ndërsa akuzon politikanët se po e shtrembojnë të vërtetën gjatë deklaratave të tyre.
‘Në parim jam i kënaqur, ndonëse nuk e di sakë çka është nënshkruar dhe çka jo, çka janë marrë vesh dhe cilat janë afatet kohore, megjithatë mendoj se jemi duke shkuar në drejtim të duhur…Më mirë 100 vjet bisedime sesa një ditë luftë. Ne duhet të jetojmë me fqinjët tanë shqiptarët në paqe, prosperitet, tre gjenerata tona kanë jetuar në Kosovë me shqiptarë dhe kurrë problem s’kam pasur, dhe besoj se as në të ardhmen nuk do të kemi…Politikanët për fat të keq po e shtrembojnë të vërtetën, dhe secili interpreton qysh atij i konvenon, varësisht nga politikat ditore, i frikohen votuesve të tyre, opozitës, etj’, shprehet Llaketic.
Një mitrovicas tjetër nga veriu me mbiemrin Boshkoviq thotë po ashtu, se është i kënaqur me takimin Vuçiq-Kurti në Bruksel, sepse siç shprehet ai, derisa të ketë bisedime, qytetarët shpresojnë në zgjidhje paqësore.
‘Jam i kënaqur (me takimin në mes të Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel), për shkak se me rëndësi është që bisedimet po zhvillohen, dhe derisa ato të zhvillohen shpresojmë në një zgjidhje paqësore…Veç të jetë paqe dhe të mos ketë konflikt, asgjë tjetër’, thekson Boshkoviq.
Ndërkaq, një qytetar që prezantohet vetëm si serb i Kosovës, ndonëse pranon se bisedimet janë alternativë e vetme, bën të ditur se nuk sheh bisedime të sinqerta dhe bashkëpunim të mirëfilltë mes Kurtit dhe Vuçiqit.
‘Bisedimet janë zgjidhje e vetme. Mirëpo, politikanët nuk i zgjidhin çështjet në emër të qytetarëve, por vetëm interesat e tyre personale… Unë nuk po shoh këtu ndonjë bashkëpunim, ata janë si dy dhi mbi urë, nuk di çfarë kërkon njëri e çfarë tjetri’, thotë ai.
Në anën tjetër, Suada Ibrahimi nga jugu i Mitrovicës, beson se bisedimet do të kenë patjetër sukses dhe gjithçka do të përfundojë mirë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ajo e mbështet fuqishëm mendimin e saj, duke pasur parasysh ndërmjetësimin e SHBA-së në këto bisedime.
‘Jam e kënaqur sepse jam optimiste dhe besoj se për gjërat elementare janë marrë vesh, janë vënë në letër, edhe pse asgjë nuk është nënshkruar deri tash. Por, fakti që Amerika ndërmjetëson, besoj se gjithçka do të përfundojë mirë’, sqaron Ibrahimi.
Habib Meholli thotë se takimet Kurti – Vuçiq do të reflektojnë paqe dhe mirëqenie për qytetarët, por vetëm nëse pala serbe është vërtetë e sinqertë në këto bisedime.
‘Nënshkru nuk është asgjë, bile as ato shkronjat fillestare, por prapë se prapë një hap para është bërë… Për qytetarët do të jetë më mirë shpresojmë, nëse në prapavijë nuk ka diçka të organizuar ndonjë poshtërsi tjetër si zakonisht që dinë me i bë’, potencon Meholli.
Ndryshe, takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i BE-së, Josep Borell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, edhe pse është vlerësuar si konstruktiv, ka përfunduar pa nënshkrimin e propozimit të BE-së./kp

Back to top button