Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është shprehur e kënaqur që kandidati demokrat Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale, për t’u bërë presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një komunikatë për media, lobi shqiptar në Amerikë është shprehur i bindur se presidenti i ri i SHBA-së do të punojë për të zgjidhur problemet shqiptaro-serbe.

LQSHA-ja, që kishte punuar me Biden-in në fushatë, ka thënë se pret që ky president të sjellë integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Puna jonë me Joe Biden është rezultat i faktit që ai u gjend pranë popullit shqiptar kudo dhe kurdo që ne kishim nevojë për të. Ai luajti një rol të dukshëm dhe impresiv në arritjen e pavarësisë së Kosovës, dhe ne jemi konfidentë që ai, si President, do të rindërtojë marrëdhëniet e afërta të SHBA-ve me BE-në dhe NATO-në, dhe do të sjellë integrimin euroatlantik të Kosovës. Së fundi, ne jemi konfidentë se Presidenti Joe Biden do të punojë për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb”, thuhet në komunikatë.

Ky lob ka thënë se shqiptaro-amerikanët luajtën rol kryesor në tri shtete zgjedhore, ato më të rëndësishmet, që edhe i sollën triumfin e madh Biden-it.

“Në tri shtete fushëbeteje zgjedhore—Miçigan, Pensilvani, dhe Uiskonsin—shqiptaro-amerikanët luajtën një rol kryesor në zgjedhjen e Joe Biden. Nga koha kur Biden i hyri garës për president në Prill 2019, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane luajti një rol të veçantë në rikujtimin për shqiptaro-amerikanët se cilat ishin përpjekjet e vazhdueshme të Joe Biden për të sjellë Sllobodan Millosheviqin në Tribunalin për Krime të Luftës në Hagë, për të sjellë pavarësinë e Kosovës, dhe për të përkrahur lirinë për të gjithë shqiptarët në Evropën Juglindore”, ka thënë Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

LQSHA-ja kishte lansuar një platformë përkrahëse për Biden-in në pranverën e vitit 2019, platformë të cilën e udhëhoqi Faton Bislimi. Madje kryetari i saj, Joe DioGuardi iu bashkua grupit të ish-Kongresistëve republikanë në përkrahje të Biden-it.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, ne ua kemi rikujtuar shqiptaro-amerikanëve që Liga Qytetare ka punuar ngushtë me Joe Biden për të ndaluar luftën e Millosheviqit në Bosnjë e Kroaci më 1991, si dhe për t’iu përgjigjur ofansivës serbe të verës 1998 kundër Kosovës duke siguruar përkrahje ndërkombëtare për bombardimin e Serbisë nga SHBA/NATO më 1999. Liga Qytetare vazhdoi të përkrahë Joe Biden në pozitën e tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit deri sa ai u bë Zëvendës President i Barack Obama-s në vitin 2006”, ka vazhduar më tej LQSHA-ja.

Shqiptaro-amerikanët kanë thënë se raportet e tyre me Biden-in s’kanë të bëjnë me përkatësinë partiake.